AGJENCIA PËR REALIZIMIN
E TË DREJTAVE TË KOMUNITETEVE

Vizitë pune e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve në Komunën e Demir Kapisë

Sot, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, së bashku me përfaqësues të Agjencisë, realizoi një vizitë pune në Komunën e Demir Kapisë, ku u takua me kryetaren e komunës, znj. Natalija Dimitrieva.

Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe të përzemërt, gjatë të cilit u diskutua për gjendjen, nevojat dhe sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e komuniteteve më pak të numërta. Kryetarja e komunës na informoi gjithashtu për projektet aktuale komunale, si dhe për aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme.

Në kuadër të vizitës, organizuam një takim me përfaqësues të komuniteteve që përbëjnë më pak se 20% të popullsisë në Komunën e Demir Kapisë. Gjatë takimit u diskutua për sfidat dhe problemet me të cilat përballen pjesëtarët e këtyre komuniteteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve që lidhen me mirëkuptimin e ndërsjellë, bashkëjetesën dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në nivel lokal.

Vizitat në terren dhe dialogu i drejtpërdrejtë me qytetarët janë të një rëndësie të veçantë për punën e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve. Vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit me vetëqeverisjen lokale dhe përfaqësuesit e komuniteteve mund t’i identifikojmë nga afër nevojat e tyre dhe të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve konkrete.

Si Agjenci, mbetemi të përkushtuar ndaj avancimit të të drejtave të komuniteteve më pak të numërta, forcimit të besimit të ndërsjellë dhe ndërtimit të një shoqërie ku respektohen dallimet dhe ku çdo qytetar ka mundësi të barabarta për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore.

Vazhdojmë me aktivitetet në terren dhe bashkëpunimin me komunat, me qëllim përmirësimin e gjendjes së komuniteteve më pak të numërta dhe ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.